Intervistë me Rexhep Berishën: Biznesmeni që ndërtoi ura tregtare midis Ballkanit dhe Zvicrës

8 Min Read

Rexhep Berisha është një biznesmen i suksesshëm shqiptar me origjinë nga Peja e Kosovës. Në vitin 2007 themeloi në Basel të Zvicrës kompaninë R.B. Import Export GmbH, e cila sot është një nga importuesit kryesorë të produkteve ushqimore nga Ballkani në tregun zviceran.

Kompania e tij specializohet në importin e produkteve tradicionale si Bylmeti, ujera minerale, produkte të qumështit dhe specialitete të tjera nga Kosova dhe Shqipëria. Falë vizionit të tij, këto produkte kanë hyrë edhe në raftet e supermarketeve të mëdha si Coop.

Si biznesmen aktiv i diasporës, Rexhep Berisha shërben si Nënkryetar i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër. Ai është një urë lidhëse e rëndësishme midis ekonomisë zvicerane dhe prodhuesve kosovarë, duke mbështetur vazhdimisht zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Kjo biografi është përgatitur në kuadër të intervistës për Journal Business.

Journal Business: Z. Berisha, ju keni ndërtuar një biznes të suksesshëm import-eksporti në Basel të Zvicrës, duke sjellë produkte kosovare në tregun zviceran. Si lindi ideja për të krijuar kompaninë R.B. Import – Export GmbH dhe çfarë ju shtyu të fokusoheni pikërisht në produkte nga Kosova?

Rexhep Berisha:  “Ideja për krijimin e R.B Import-Export GmbH në Basel lindi nga dëshira për të lidhur vendlindjen tonë, Kosovën, me tregun zviceran dhe për t’u ofruar bashkatdhetarëve tanë, por edhe konsumatorëve të tjerë, produkte ushqimore autentike dhe cilësore nga Kosova. Ne pamëse kishte kërkesë për produkte tradicionale që sjellin shijen dhe kulturën e vendit tonë. Pikërisht kjo na shtyu të fokusohemi te produktet ushqimore kosovare: cilësia e tyre, tradita që përfaqësojnë dhe mundësia për të mbështetur prodhuesit vendorë në Kosovë duke i prezantuar produktet e tyre në tregun zviceran.”

Journal Business: Si biznesmen i diasporës, cilat kanë qenë sfidat kryesore që keni hasur gjatë vendosjes së produkteve kosovare në raftet e dyqaneve zvicerane si Coop, dhe çfarë strategjish keni përdorur për të kapërcyer ato sfida?

Rexhep Berisha: Si afarist i diasporës, një nga sfidat kryesore ka qenë përmbushja e standardeve të larta zvicerane për cilësinë, certifikimet, logjistikën dhe furnizimin e vazhdueshëm të produkteve. Gjithashtu, hyrja në rrjetet e mëdha të shitjes si supermarketet zvicerane kërkon besim, profesionalizëm dhe dëshmi konkrete se produkti mund të plotësojë kërkesat e tregut.

Për t’i kapërcyer këto sfida, kemi investuar në ndërtimine partneriteteve të forta me prodhuesit në Kosovë, duke punuar ngushtë për të siguruar standarde të larta të cilësisë dhe dokumentacionin e nevojshëm. Njëkohësisht, kemi zhvilluar një strategji të bazuar në prezantimin profesional të produkteve, promovimin e origjinës dhe vlerave të tyre, si dhe krijimin e besimit te partnerët dhe konsumatorët zviceranë. Këmbëngulja, serioziteti dhe përkushtimi ndaj cilësisë kanë qenë faktorët kryesorë që na  kanë ndihmuar të pozicionojmë me sukses produktet kosovare në tregun zviceran

Journal Business: Ju keni studiuar Jurisprudencë në Universitetin e Prishtinës. Si ka ndikuar formimi juar akademik dhe përvoja në Kosovë në mënyrën se si menaxhoni sot biznesin në Zvicër? A mendoni se diaspora kosovare ka një rol të veçantë në zhvillimin ekonomik të Kosovës?

Rexhep Berisha: Studimet e mia në Jurisprudencë në Fakultetin Juridik të Prishtinës kanë ndikuar dukshëm në mënyrën se si e menaxhoj biznesin sot në Zvicër.

Formimi juridik më ka ndihmuar të zhvilloj aftësi analitike, të kuptoj më mirë aspektet ligjore dhe kontraktuale të biznesit, si dhe të marr vendime të bazuara në përgjegjësi dhe profesionalizëm. Përvoja ime në Kosovë më ka mësuar gjithashtu vlerën e këmbënguljes, adaptimit dhe punës së palodhshme, cilësi që kanë qenë shumë të rëndësishmenë rrugëtimin tim sipërmarrës. Sa i përket diasporës kosovare, besoj fuqishëm se ajo kanjë rol të veçantë dhe shumë të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Përveç kontributit tradicional përmes remitancave, diaspora sjell njohuri profesionale, përvojë ndërkombëtare, investime dhe lidhje me tregjet e huaja. Ajo shërben si një urë lidhëse mes Kosovës dhe botës, duke krijuar mundësi të reja për eksport, bashkëpunim ekonomik dhe promovim të produkteve e potencialeve të vendit tonë. Prandaj, mendoj se angazhimi i diasporës është një faktor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të Kosovës

Journal Business: Duke parë suksesin tuaj, çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve kosovarë që duan të ndërmarrin biznes jashtë vendit, dhe cili është vizioni juaj për bashkëpunimin e ardhshëm mes biznesit të diasporës dhe Kosovës?

Rexhep Berisha: Të rinjve shqiptarë që dëshirojnë të ndërmarrin iniciativa biznesi jashtë vendit do t’u këshilloja që të besojnë në idetë e tyre, të investojnë vazhdimisht në dije dhe zhvillim profesional dhe të mos dorëzohen përballë sfidave. Suksesi nuk vjen brenda natës; ai ndërtohet me punë të palodhshme, disiplinë, durim dhe përkushtim. Po ashtu, është shumë e rëndësishme të ruajnë integritetin, të ndërtojnë marrëdhënie të besueshme dhe të mos harrojnë rrënjët e tyre, sepse identiteti dhe vlerat tona janë një avantazh i madh në tregjet ndërkombëtare.

Sa i përket vizionit tim për të ardhmen, besoj se bashkëpunimi mes biznesit të diasporës, Kosovës dhe Shqipërisë do të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Diaspora ka potencial të jashtëzakonshëm për të sjellëi nvestime, teknologji, njohuri dhe qasje në tregje të reja. Vizioni im është të shohim më shumë partneritete strategjike, më shumë produkte shqiptare në tregjet evropiane dhe globale, si dhe një rrjet më të fortë bashkëpunimi ekonomik mes sipërmarrësve shqiptarë kudo që ndodhen. Vetëm duke bashkuar potencialin e vendlindjes me përvojën dhe kapitalin e diasporës mund të krijojmë zhvillim të qëndrueshëm dhe mundësi më të mëdha për brezat e ardhshëm

Journal Business: Cili është rrëfimi juaj më interesant në këtë industri

Rexhep Berisja: Shtes nga Pyetjet : Më kujtohet kur në fillimet tona prezantuam disa produkte kosovare para partnerëve zviceranë. Njëri prej tyre provoi një produkt tradicional dhe me buzëqeshje tha: ‘Nëse kjo është shija e Kosovës, atëherë duhet ta njohim më mirë këtë vend.’ Në atë moment e kuptova se produktet nuk janë vetëm mallra që shiten në rafte; ato bartin histori, kulturë dhe identitet. Siç thotë edhe populli ynë: ‘Guri i rëndë peshon në vend të vet.’ Ne jetojmë dhe punojmë në Zvicër, por gjithmonë përpiqemi që përmes punës sonë të mbajmë afër vendlindjen dhe ta prezantojmë atë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Share This Article