Ekskluzive: Journal Magazine zhvillon intervistë me miliarderin shqiptar dhe mikun e Presidentit Trump, Sahit Muja

15 Min Read

Në një intervistë ekskluzive për Journal Magazine, biznesmeni shqiptaro-amerikan nga Tropoja, filantropi Sahit Muja, një mik i mirë i Presidentin të tanishëm amerikan Donald Trump, flet për vizionin strategjik për rolin e gazit amerikan në hartën e re energjetike të Evropës dhe Ballkanit. 

Nga New York, ku ka ndërtuar një karrierë disadekadëshe në investime minerare dhe energjetike, Muja analizon se si LNG-ja amerikane mund të shndërrohet nga një burim furnizimi në platformë zhvillimi për Shqipërinë dhe Kosovën. Mesazhi i tij është i drejtpërdrejtë: energjia nuk është thjesht mall, por kapitali fillestar i industrisë së së ardhmes dhe themeli i sigurisë kombëtare.

Z. Muja e dha këtë intervistë për “Journal Magazine”, që e trajton gazin amerikan në Ballkan si temë kryesore të këtij numri. Lexojeni më poshtë intervistën e z. Muja për “Journal Magazine”.

Gazi amerikan si urë strategjike: Mesazhi i Sahit Mujës për Shqipërinë dhe Kosovën

Sahit Muja e sheh energjinë si themelin mbi të cilin është ngritur qytetërimi modern. Në vlerësimin e tij, gazi natyror amerikan dhe veçanërisht LNG-ja ka fituar një rol të pazëvendësueshëm pas krizës energjetike që goditi Evropën pas ndërprerjes së furnizimeve ruse. “Siguria energjetike është siguri ekonomike, siguri industriale dhe, në fund të fundit, siguri kombëtare,” thekson ai.

Journal Magazine: Z. Muja, ju jeni një nga biznesmenët shqiptaro-amerikanë më të spikatur në sektorin e burimeve natyrore. Si e shihni sot rolin e gazit amerikan në ekonominë globale dhe në sigurinë energjetike të SHBA-së?

Z. Muja: Unë e shoh energjinë si themelin mbi të cilin është ngritur qytetërimi modern. Në rastin e Shteteve të Bashkuara, zhvillimi i industrisë energjetike ka qenë një nga motorët kryesorë që ka ndërtuar ekonominë, industrinë dhe teknologjinë më të fuqishme në botë.

Gazi natyror amerikan ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe, sipas këndvështrimit tim, do të vazhdojë ta ketë edhe në dekadat e ardhshme. Arsyeja është e thjeshtë: një ekonomi moderne nuk mund të funksionojë pa energji të bollshme, të qëndrueshme dhe konkurruese.

Mjafton të shohim krizën energjetike që përjetoi Evropa pas ndërprerjeve dhe pasigurive të furnizimit me gazin rus. Çmimet e energjisë u rritën ndjeshëm, kostot e prodhimit u shtuan, inflacioni u përhap në ekonomi dhe shumë industri evropiane humbën konkurrueshmërinë.

Kjo na mëson një leksion strategjik: siguria energjetike është siguri ekonomike, siguri industriale dhe, në fund të fundit, siguri kombëtare.

SHBA-ja sot nuk është thjesht një prodhues i madh gazi. Ajo është bërë një nga shtyllat kryesore të arkitekturës së re energjetike globale. LNG-ja amerikane i jep Evropës dhe aleatëve të saj mundësinë të diversifikojnë furnizimin dhe të reduktojnë varësinë nga burime të vetme.

Journal Magazine: Shqipëria ka bërë hapa konkretë drejt pranimit të një marrëveshjeje 20-vjeçare për gazin amerikan LNG. Sa pozitivisht e shihni këtë vendim të Tiranës dhe çfarë përfitimesh strategjike i sjell Shqipërisë?

Z. Muja: E shoh si një vendim me rëndësi të madhe strategjike. Shqipëria, që nga vendosja e demokracisë, ka pasur një marrëdhënie të veçantë strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe, në momente të rëndësishme të historisë së saj moderne, ka dëshmuar se di t’i dëgjojë me vëmendje aleatët e saj.

Një furnizim afatgjatë me LNG amerikan mund t’i japë Shqipërisë një dimension të ri të sigurisë energjetike. Gazi mund të shërbejë si një burim fleksibël që plotëson hidroenergjinë dhe burimet e tjera, veçanërisht në periudhat kur prodhimi hidroelektrik është më i ulët.

Por unë shoh diçka edhe më të madhe.

Shqipëria nuk duhet ta shohë gazin vetëm si një mall që importohet. Ajo duhet ta shohë energjinë si infrastrukturë strategjike për transformimin e vendit.

Turizmi shqiptar po rritet, industria ka nevojë për energji, qendrat e të dhënave kërkojnë furnizim të qëndrueshëm, investitorët kërkojnë siguri dhe ekonomia moderne kërkon infrastrukturë energjetike të parashikueshme.

Pozita gjeografike e Shqipërisë e bën këtë edhe më të rëndësishme. Vendi mund të shndërrohet nga një treg relativisht i vogël energjetik në një nyje strategjike energjie për Ballkanin Perëndimor.

Dhe unë besoj fuqishëm në një parim: partneritetet strategjike funksionojnë në të dyja drejtimet. Aleatët tanë kanë qenë pranë nesh në momentet më të vështira; është në interesin tonë kombëtar të ndërtojmë partneritete ekonomike dhe energjetike që forcojnë të ardhmen e përbashkët.

Journal Magazine: A e shihni këtë zhvillim – Shqipërinë që ka pranuar gazin amerikan dhe projektin drejt Kosovës – si një mundësi konkrete për integrim më të thellë energjetik midis Shqipërisë, Kosovës dhe pjesës tjetër të Ballkanit?

Z. Muja: Absolutisht. Madje unë mendoj se duhet ta shohim këtë si shumë më tepër se një projekt gazi.

Është një mundësi për të ndërtuar një korridor të ri energjetik shqiptar-amerikan për Ballkanin.

Shqipëria dhe Kosova kanë një lidhje të natyrshme ekonomike, gjeografike dhe njerëzore. Nëse kjo lidhje shoqërohet me infrastrukturë moderne energjetike, ajo mund të krijojë një platformë të re zhvillimi për të gjithë rajonin.

Një sistem i integruar mund të lidhë LNG-në, gazin, hidroenergjinë, energjinë diellore, energjinë e erës, rrjetet elektrike, magazinimin e energjisë dhe në të ardhmen edhe hidrogjenin.

Kjo do të krijonte diçka shumë më të madhe se një tubacion: një ekosistem energjetik rajonal.

Shqipëria mund të bëhet portë hyrëse, Kosova mund të shërbejë si një treg dhe qendër industriale në zhvillim, ndërsa lidhjet me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe më tej me Evropën do ta zgjeronin këtë arkitekturë.

Në shekullin XXI, infrastruktura energjetike është një formë e infrastrukturës gjeopolitike. Kush ndërton rrjetet, portet, tubacionet dhe linjat e transmetimit të së ardhmes, ndërton edhe themelet e zhvillimit ekonomik të dekadave që vijnë.

Journal Magazine: Cilat do të ishin përfitimet kryesore për Kosovën nëse do të lidhte kontrata afatgjata për gaz amerikan – nga siguria energjetike, mjedisi dhe ekonomia?

Z. Muja: Kur vij në Prishtinë gjatë dimrit dhe zbres në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, shpesh ndiej menjëherë një problem te madh: ajrin e rënduar nga ndotja.

Kosova përballet me sfida serioze të ndotjes së ajrit, ndërsa prodhimi energjetik i bazuar fuqishëm në linjit dhe teknologji të vjetruara krijon kosto të mëdha mjedisore dhe shëndetësore.

Në të njëjtën kohë, vendi përballet me nevojën për më shumë energji dhe me ndërprerje të furnizimit që dëmtojnë familjet dhe bizneset.

Kam edhe një lidhje personale me këtë realitet. Kam shtëpi në Gjakovë dhe e kam përjetuar vetë pasigurinë e furnizimit me energji – ndërprerje që mund të zgjasin me orë dhe që janë veçanërisht të vështira për një ekonomi moderne.

Journal Magazine: Si mund të ndërtohet një industri konkurruese, si mund të krijohen mijëra vende pune dhe si mund të tërhiqen investime të mëdha nëse energjia nuk është e sigurt dhe e përballueshme?

Z. Muja: Gazi nuk është zgjidhja e vetme dhe nuk duhet të jetë qëllimi përfundimtar. Por mund të jetë një urë strategjike: të sigurojë energji më të qëndrueshme dhe fleksibilitet për sistemin, ndërkohë që Kosova ndërton kapacitete shumë më të mëdha në energjinë e rinovueshme, magazinimin dhe teknologjitë e pastra.

Energjia e sigurt sjell investime. Investimet sjellin industri. Industria sjell vende pune. Vendet e punës sjellin mirëqenie.

Prandaj, për Kosovën energjia nuk është thjesht një çështje teknike. Është çështje e zhvillimit kombëtar.

Jornal Magazine: Eksportet amerikane të LNG-së kanë ndryshuar hartën energjetike të Evropës pas vitit 2022. Si e shihni rolin e ardhshëm të SHBA-së në sigurinë energjetike të Evropës dhe Ballkanit?

Z.Muja: Unë investoj prej më shumë se 30 vitesh në kompani amerikane të energjisë dhe, si investitor, kam pasur mundësinë të ndjek nga afër transformimin e këtij sektori.

Ajo që shoh sot është një Amerikë që po forcon prodhimin, infrastrukturën, teknologjitë dhe partneritetet ndërkombëtare të energjisë.

SHBA-ja ka një kombinim unik: burime të mëdha natyrore, kapital të jashtëzakonshëm, tregje financiare të zhvilluara, universitete dhe teknologji lider, kompani energjetike me përvojë dhe një rrjet të gjerë aleancash ndërkombëtare.

Partneritetet me vende të mëdha prodhuese, përfshirë Katarin, tregojnë gjithashtu se siguria energjetike e së ardhmes do të ndërtohet përmes bashkëpunimit dhe diversifikimit, jo përmes varësisë nga një burim i vetëm.

Për Evropën dhe veçanërisht për Ballkanin, roli amerikan do të mbetet shumë i rëndësishëm.

Unë do ta përmbledhja kështu:

Amerika nuk duhet të jetë thjesht furnizuesi i energjisë së Evropës; Amerika mund të jetë partneri i Evropës në ndërtimin e arkitekturës energjetike të shekullit XXI.

Jouenal Magazine: Çfarë duhet të bëjnë Shqipëria dhe Kosova për ta kthyer sigurinë energjetike në një platformë të re zhvillimi?

Z. Muja: Duhet të mendojnë përtej projekteve individuale. Ne duhet të ndërtojmë një vizion ku gazi, energjia elektrike, hidrocentralet, dielli, era, magazinimi, hidrogjeni dhe teknologjitë e reja të energjisë funksionojnë si pjesë të një sistemi të vetëm.

Shqipëria dhe Kosova kanë potencial të jashtëzakonshëm për të ndërtuar një korridor të ri energjetik në Ballkanin Perëndimor. Por duhet vizion afatgjatë, kapital, infrastrukturë dhe mbi të gjitha vullnet politik.

Unë do të doja të shihja një strategji 20–30-vjeçare ku të dyja vendet të ulen me partnerët amerikanë dhe evropianë dhe të hartojnë një plan të përbashkët për energjinë, industrinë dhe investimet.

Sepse energjia nuk duhet të mendohet vetëm si konsum. Energjia është kapitali fillestar i industrisë së së ardhmes.

Journal Magazine: Si e shihni rolin e SHBA-së në mbështetjen e tranzicionit energjetik të Kosovës? A duhet që gazi amerikan të jetë pjesë e këtij tranzicioni?

Po. Unë besoj se SHBA-ja mund të luajë një rol shumë të madh në transformimin energjetik të Kosovës.

Por duhet ta kuptojmë drejt konceptin e tranzicionit. Tranzicioni nuk do të thotë të fikësh një sistem të vjetër dhe të presësh që një sistem i ri të shfaqet menjëherë.

Duhet të ndërtosh urën drejt së ardhmes.

Gazi amerikan mund të jetë pjesë e kësaj ure, duke ofruar fleksibilitet dhe siguri ndërsa Kosova zhvillon më shumë energji diellore, erë, magazinim dhe teknologji të tjera të pastra.

Me energji të bollshme dhe të besueshme, Kosova mund të bëhet shumë më tërheqëse për kompanitë amerikane dhe ndërkombëtare që kërkojnë të investojnë në industri, teknologji, qendra të të dhënave dhe prodhim.

Fatkeqësisht, unë mendoj se Kosova duhet të kishte bërë shumë më tepër për t’i paraqitur këto mundësi në Uashington dhe për të tërhequr kapitalin dhe kompanitë amerikane. Nuk ka kohë për vonesa.

Çdo vit që humbet në ndërtimin e infrastrukturës energjetike është një vit i humbur për investimet, industrinë, punësimin dhe mirëqenien. Kosova duhet të veprojë me urgjencë, por edhe me vizion.

Journal Magazine: Si investitor me njohuri të thella mbi tregjet amerikane të energjisë, çfarë mesazhi do t’u dërgonit vendimmarrësve në Prishtinë në lidhje me mundësinë e importit të gazit amerikan?

Z.Muja: Mesazhi im është shumë i drejtpërdrejtë: Mos e shikoni Amerikën si një vend nga i cili duhet të kërkoni gjithmonë diçka. Shikojeni si partnerin me të cilin mund të ndërtoni diçka.

Kosova është një treg i vogël krahasuar me përmasat e ekonomisë amerikane. SHBA-ja nuk ka nevojë për Kosovën për të mbijetuar ekonomikisht. Por historia na ka treguar diçka shumë më të rëndësishme: kur populli i Kosovës ishte në momentin e tij më të vështirë, Amerika nuk qëndroi indiferente.

SHBA-ja u bë një nga mbështetësit më të fuqishëm të lirisë dhe sigurisë së Kosovës. Kjo është pjesë e historisë që nuk duhet harruar.

Sot kemi një mundësi tjetër: ta kthejmë atë partneritet historik në një partneritet ekonomik dhe energjetik të shekullit XXI.

Prandaj thirrja ime për vendimmarrësit në Prishtinë është e qartë: studioni seriozisht mundësinë e gazit amerikan, ndërtoni infrastrukturën e nevojshme, sillni kompanitë amerikane, krijoni projekte konkrete dhe paraqitini ato në Uashington.

Mos prisni që investimi të vijë vetë.

Shkoni atje ku është kapitali, teknologjia dhe vizioni.

Dhe mesazhi im për politikën kosovare është edhe më i fortë: diferencat politike mund të diskutohen, por interesat strategjike të shtetit duhet të jenë mbi interesat e ditës.

Kosova ka nevojë për energji. Ka nevojë për industri. Ka nevojë për vende pune. Ka nevojë për investime. Ka nevojë për ajër më të pastër dhe një ekonomi më konkurruese.

Dhe nëse një partner strategjik si SHBA-ja është i gatshëm të ndihmojë në ndërtimin e kësaj të ardhmeje, Kosova duhet ta ketë mençurinë dhe guximin për ta kapur këtë mundësi.

Unë do ta mbyllja me një fjali:

Kosova nuk duhet të presë të ardhmen. Kosova duhet ta ndërtojë atë — me energji të sigurt, me kapital amerikan, me teknologji moderne dhe me një vizion që shkon përtej një mandati politik.

Sahit Muja

New York

Share This Article
Pa Komente

Lini një Përgjigje