Intervistë Ekskluzive me Nijat Bajramin Themelues dhe Drejtor i Spitex BajRon AG

21 Min Read

Nijat Bajrami, themeluesi, pronari dhe CEO i Spitex BajRon AG, është një nga sipërmarrësit më të suksesshëm shqiptarë në sektorin e kujdesit shëndetësor në Zvicër.

Në këtë intervistë për Journal Business, z. Bajrami ndan rrugëtimin e tij, sfidat e biznesit dhe vizionin për një kujdes njerëzor e me cilësi të lartë.


Journal Business: Z. Bajrami, sot jeni themelues i një prej organizatave private të kujdesit në shtëpi që po njeh zhvillim të vazhdueshëm në Zvicër. Por le të kthehemi në fillim. Kush është Nijat Bajrami dhe si nisi rrugëtimi juaj?

Nijat Bajrami: Rrugëtimi im fillon në fshatin Greshnicë të Kërçovës, një vend i vogël, por me njerëz të mëdhenj në zemër. Aty kalova fëmijërinë time, mes vlerave të familjes, punës së ndershme dhe respektit për njerëzit. U rrita në një familje modeste, ku prindërit na mësuan se pasuria më e madhe nuk janë paratë, por karakteri, fjala e mbajtur dhe gatishmëria për të ndihmuar të tjerët. Babai im ishte punëtor krahu. Ai nuk kishte mundësi të na linte pasuri materiale, por na la një trashëgimi shumë më të vlefshme: dinjitetin, dashurinë për punën dhe bindjen se njeriu matet me veprat e tij dhe me të mirën që lë pas për të tjerët. Këto vlera më kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës.

Shkollimin fillor e përfundova në vendlindje, ndërsa arsimin e mesëm e vazhdova në Tetovë, në drejtimin e teknikut medicinal. Ishte pikërisht aty ku filloi të formësohej lidhja ime me profesionin e kujdesit shëndetësor. Që në moshë të re kuptova se ndihma ndaj njerëzve nuk është vetëm një profesion, por një përgjegjësi morale dhe njerëzore. Vitet në Tetovë ishin vite formimi. Përveç njohurive profesionale, mësova të përballem me sfida, të jem i pavarur dhe të ndërtoj ëndrra më të mëdha se kufijtë e vendlindjes sime. Megjithatë, realiteti politik dhe ekonomik i asaj kohe i shtyu shumë të rinj të kërkonin mundësi jashtë vendit. Edhe unë mora rrugën e emigrimit. Ardhja në Zvicër nuk ishte e lehtë. 

Si shumë bashkatdhetarë të tjerë, erdha me një valixhe të vogël, por me shpresa të mëdha. Nuk kisha privilegje, nuk kisha njohje të shumta dhe as rrugë të hapura. Kisha vetëm vullnetin për të punuar, për të mësuar dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten dhe familjen time. Fillimet ishin të vështira. Duhej të përshtatesha me një gjuhë të re, me një kulturë të re dhe me një sistem shëndetësor që kërkonte profesionalizëm të lartë. Por Zvicra më dha një mundësi dhe unë vendosa ta shfrytëzoj maksimalisht.

Gjatë viteve punova në spitale, në institucione për të moshuar, në qendra rehabilitimi dhe në organizata të ndryshme të kujdesit. Çdo vend pune ishte një shkollë më vete. Kam parë nga afër gëzimin e familjeve kur një pacient rikuperohej, por edhe dhimbjen e tyre në momentet më të vështira të jetës. Kam parë të moshuar që kishin nevojë jo vetëm për terapi dhe medikamente, por edhe për një fjalë të mirë, për një dorë që i mbështet dhe për dikë që i dëgjon.

Këto përvoja më formuan si profesionist dhe si njeri. Më mësuan se kujdesi shëndetësor nuk fillon me ilaçin dhe nuk mbaron me trajtimin. Në qendër të gjithçkaje është njeriu. Pikërisht nga këto përvoja lindi edhe vizioni im për të krijuar diçka timen. 

Një organizatë që do të kombinonte profesionalizmin zviceran me afërsinë njerëzore, respektin për kulturat e ndryshme dhe përkushtimin e sinqertë ndaj pacientit.

Sot, kur shoh rrugën që kemi bërë me Spitex BajRon AG, ndiej krenari, por edhe mirënjohje. Krenari për atë që kemi ndërtuar dhe mirënjohje për të gjithë njerëzit që më kanë besuar gjatë këtij rrugëtimi – familjen time, bashkëpunëtorët, pacientët dhe çdo person që ka qenë pjesë e kësaj historie. Sepse në fund të fundit, suksesi i vërtetë nuk matet me ndërtesa apo shifra. Ai matet me numrin e njerëzve që ke ndihmuar dhe me gjurmën pozitive që lë në jetën e tyre. Dhe kjo është ajo që më motivon edhe sot, pas kaq vitesh, të vazhdoj me të njëjtin pasion si ditën e parë.

Journal Business: Cili ishte momenti kur vendosët të themeloni Spitex BajRon AG?

Nijat Bajrami: Vendimi për të themeluar Spitex BajRon AG lindi nga përvoja ime shumëvjeçare në kujdesin shëndetësor dhe nga takimet me njerëz që kishin nevojë jo vetëm për trajtim, por edhe për afërsi njerëzore. Një moment që më ka mbetur thellë në kujtesë ishte kur një zonjë e moshuar, për të cilën kujdesesha, më tha: “Nijat, unë nuk kam frikë nga vdekja. Kam frikë nga vetmia.”

Ajo fjali më bëri të kuptoj se shumë njerëz vuajnë jo vetëm nga sëmundja, por edhe nga mungesa e vëmendjes, respektit dhe pranisë njerëzore. Atëherë vendosa të krijoj një organizatë ku pacienti të mos trajtohet si numër, por si njeri me historinë, dinjitetin dhe nevojat e tij.

Kështu lindi Spitex BajRon AG.

Fillimet nuk ishin të lehta. Kishim pak burime, por shumë vullnet dhe besim. Në atë kohë kujdesesha për pacientët, merresha me administratën dhe organizoja punën çdo ditë. Megjithatë, nuk e humba kurrë besimin se me punë të ndershme dhe përkushtim mund të ndërtojmë diçka të vlefshme. Sot jam krenar që ajo ide e vogël është shndërruar në një organizatë që kujdeset për qindra njerëz në Zvicër, duke ruajtur të njëjtat vlera me të cilat filloi: profesionalizëm, respekt dhe kujdes me zemër.

Journal Business: Sot kompania juaj është zgjeruar në shumë kantone të Zvicrës. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Nijat Bajrami: Për mua kjo nuk është thjesht një histori suksesi biznesi. Sigurisht që jam krenar për zhvillimin e kompanisë, por ajo që më jep kënaqësinë më të madhe nuk janë shifrat apo zgjerimi në kantone të reja. Më gëzon fakti që çdo ditë kemi mundësinë të bëjmë një ndryshim pozitiv në jetën e njerëzve.Çdo klient që na beson kujdesin e tij na jep diçka shumë të çmuar – besimin. Dhe besimi është përgjegjësia më e madhe që mund të marrësh mbi vete.

Kur shoh se sot qindra familje mbështeten tek Spitex BajRon AG, nuk mendoj për numrin e klientëve apo të bashkëpunëtorëve. Mendoj për nënën që falë kujdesit tonë mund të vazhdojë të jetojë në shtëpinë e saj, pranë kujtimeve dhe njerëzve që do. Mendoj për babanë që ruan dinjitetin dhe pavarësinë e tij edhe në moshë të shtyrë. Mendoj për fëmijët me nevoja të veçanta që marrin mbështetjen e nevojshme për një jetë më të mirë.

Mendoj gjithashtu për familjarët, të cilët shpesh mbajnë një barrë të madhe emocionale dhe fizike. Kur ata na thonë se ndihen më të qetë sepse e dinë që dikush po kujdeset për më të dashurit e tyre me profesionalizëm dhe zemër, atëherë e kuptoj se puna jonë ka vlerë.

Ky është suksesi ynë i vërtetë. Jo sa jemi rritur si kompani, por sa njerëz kemi arritur të ndihmojmë, të mbështesim dhe t’u japim siguri në momentet kur kanë pasur më shumë nevojë.

Journal Business: Shumë njerëz ju njohin si drejtues, por pak e dinë sa emocionalisht lidheni me pacientët. A ka ndonjë histori që ju ka prekur veçanërisht?

Nijat Bajrami: Ka shumë histori që më kanë prekur gjatë këtyre viteve. Ndonjëherë njerëzit mendojnë se pas shumë vitesh në këtë profesion njeriu mësohet me vuajtjen, por e vërteta është se nuk mësohesh kurrë. Çdo pacient ka historinë e tij, familjen e tij dhe betejën e tij.

Ka raste që më kanë lënë pa gjumë, jo sepse nuk dija çfarë të bëja profesionalisht, por sepse emocionalisht e ndjeja dhimbjen e tyre.

Një prej rasteve që nuk do ta harroj kurrë ishte një pacient në fazë terminale. Familja e tij ishte e rraskapitur emocionalisht. Ne ishim pranë tyre çdo ditë, duke u munduar jo vetëm të lehtësonim dhimbjet fizike, por edhe t’u jepnim forcë në ato momente të vështira.

Një mbrëmje, pak para se të largohej nga kjo botë, ai më shikoi dhe më tha:

“Faleminderit që nuk më trajtuat si të sëmurë. Më trajtuat si njeri.”

Këto janë fjalë që nuk harrohen kurrë.

Në ato çaste kupton se puna jonë nuk ka të bëjë vetëm me ilaçe, injeksione apo procedura mjekësore. Ka të bëjë me dinjitetin njerëzor. Ka të bëjë me respektin për jetën deri në frymën e fundit.Shpesh them se pacientët kanë mësuar më shumë mua sesa unë atyre. 

Ata më kanë mësuar të jem mirënjohës, të vlerësoj familjen, shëndetin dhe momentet e vogla të jetës. Kur një familje të përqafon dhe të falënderon në një nga ditët më të vështira të jetës së saj, kupton se ke zgjedhur profesionin e duhur. Pikërisht këto momente më japin forcë të vazhdoj edhe sot, pas kaq shumë vitesh, me të njëjtin përkushtim dhe me të njëjtën zemër.

Journal Business:  Një nga karakteristikat e Spitex BajRon AG është lidhja e fortë me komunitetin shqiptar. Pse është e rëndësishme kjo?

Nijat Bajrami: Sepse unë vetë jam pjesë e këtij komuniteti dhe e kam përjetuar personalisht rrugëtimin e emigrimit. E di çfarë do të thotë të fillosh një jetë të re në një vend të huaj, të mësosh një gjuhë të re dhe të përpiqesh të kuptosh një sistem krejtësisht ndryshe nga ai që ke njohur më parë.

Për shumë familje shqiptare, veçanërisht për gjeneratën e parë të emigrantëve, sfida nuk është vetëm sëmundja. Shpesh është pasiguria, frika dhe mungesa e informacionit. Kam takuar shumë të moshuar që kanë jetuar me dekada në Zvicër, por në momentet e vështira shëndetësore ndihen më të sigurt kur dikush u flet në gjuhën e zemrës së tyre.

Kur një infermiere i drejtohet një pacienteje në shqip, kur një familje kupton qartë planin e kujdesit, kur dikush merr kohë t’i shpjegojë gjërat me durim dhe respekt, krijohet diçka shumë e rëndësishme: besimi.

Në kulturën tonë, familja ka një vend të shenjtë. Prindërit tanë kanë sakrifikuar shumë për ne dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe respekt në çdo fazë të jetës së tyre. Pikërisht për këtë arsye ne kemi ndërtuar ura mes komunitetit shqiptar dhe sistemit shëndetësor zviceran, duke i ndihmuar familjet të ndihen të kuptuara dhe të mbështetura.

Megjithatë, Spitex BajRon AG nuk është vetëm për shqiptarët. Ne kujdesemi për njerëz të të gjitha kombësive, kulturave dhe besimeve. Por fakti që njohim mirë sfidat e komunitetit tonë na ka ndihmuar të krijojmë një qasje më njerëzore dhe më afër nevojave të klientëve.

Unë besoj se kujdesi më i mirë fillon kur pacienti ndihet i sigurt. Dhe siguria lind nga besimi. Prandaj them shpesh se besimi është gjysma e shërimit, ndërsa pjesa tjetër është profesionalizmi dhe përkushtimi i ekipit tonë.

Journal Busines: Ju flisni shpesh për edukimin dhe zhvillimin e stafit. Përse?

Nijat Bajrami: Sepse jam i bindur se një organizatë nuk ndërtohet nga muret, zyrat apo teknologjia. Ajo ndërtohet nga njerëzit që punojnë çdo ditë me përkushtim dhe zemër.

Që nga dita e parë, kam besuar se suksesi i Spitex BajRon AG nuk varet vetëm nga drejtuesit, por nga çdo bashkëpunëtor që hyn në shtëpinë e një pacienti dhe përfaqëson vlerat tona. Për këtë arsye investimi në edukim dhe zhvillim profesional ka qenë gjithmonë një nga prioritetet tona kryesore.

Jam veçanërisht krenar kur shoh bashkëpunëtorë që kanë filluar tek ne si praktikantë, nxënës apo në pozita të thjeshta dhe sot janë infermierë të diplomuar, mentorë, drejtues ekipesh apo specialistë në fushat e tyre. Këto histori më japin një kënaqësi të veçantë, sepse tregojnë se me punë, mbështetje dhe besim çdo njeri mund të zhvillohet dhe të arrijë objektivat e tij.

Ne nuk shohim tek stafi vetëm punonjës. Ne shohim njerëz me potencial, me ëndrra dhe me ambicie. Prandaj përpiqemi të krijojmë mundësi për trajnim, specializim dhe zhvillim të vazhdueshëm profesional.

Kur shoh suksesin e tyre, ndihem sikur po shoh suksesin e familjes sime. Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të shohësh dikë të rritet profesionalisht dhe personalisht, duke fituar vetëbesim dhe duke marrë përgjegjësi më të mëdha.

Në fund të fundit, pajisjet mund të blihen, teknologjia mund të përditësohet dhe ndërtesat mund të ndërtohen. Por vlera më e madhe e çdo organizate janë njerëzit e saj.

Prandaj besoj se investimi më i mirë që mund të bëjë një kompani nuk është në beton apo mure, por tek njerëzit që çdo ditë japin më të mirën nga vetja për të ndihmuar të tjerët.

Journal Busines: Shpesh përmendni vendlindjen. A mbetet ende pjesë e ëndrrave tuaja?

Nijat Bajrami: Gjithmonë. Njeriu mund të jetojë larg vendlindjes për shumë vite, mund të ndërtojë karrierë dhe jetë në një vend tjetër, por rrënjët e tij mbeten aty ku ka hedhur hapat e parë.

Edhe pse Zvicra më dha mundësinë të realizoj ëndrrat e mia profesionale, zemra ime mbetet e lidhur me Greshnicën, Kërçovën, Tetovën dhe me njerëzit e vendit tim. Sa herë kthehem në vendlindje, takoj njerëz që kanë nevojë për më shumë mbështetje, veçanërisht të moshuar që kanë dhënë gjithçka për familjet e tyre dhe sot meritojnë kujdes dinjitoz dhe profesional.

Shpesh mendoj se sa shumë mund të bëhet në këtë drejtim. Kam parë se si sistemi i kujdesit në Zvicër u jep njerëzve mundësinë të jetojnë me dinjitet në shtëpitë e tyre edhe në moshë të shtyrë apo gjatë sëmundjeve të rënda. Besoj se edhe trojet tona meritojnë të njëjtat standarde dhe të njëjtin respekt për njeriun.

Një nga ëndrrat e mia është që përvoja, njohuritë dhe modelet që kemi ndërtuar gjatë viteve në Zvicër të mund t’i sjellim një ditë edhe në vendlindje. Jo vetëm për të hapur institucione apo për të ofruar shërbime, por për të krijuar një kulturë të re kujdesi, ku njeriu të jetë gjithmonë në qendër.

Unë besoj se diaspora nuk duhet të jetë vetëm një burim investimesh financiare. Ajo duhet të sjellë përvojë, dije, profesionalizëm dhe vizion. Nëse ne arrijmë të ndërtojmë ura mes përvojës së fituar në Perëndim dhe nevojave që ekzistojnë në vendlindje, atëherë mund të lëmë pas diçka me vlerë për brezat që vijnë.

Do të isha shumë i lumtur që një ditë të shoh në Kërçovë, Tetovë dhe më gjerë qendra moderne kujdesi, profesionistë të trajnuar sipas standardeve evropiane dhe familje që ndihen të sigurta se më të dashurit e tyre janë në duar të mira.

Kjo nuk është vetëm një ëndërr profesionale. Është një dëshirë që buron nga zemra dhe nga mirënjohja që kam për vendin ku jam lindur dhe jam rritur.

Journal Business: Çfarë mesazhi dëshironi t’u jepni lexuesve të Journal?

Nijat Bajrami: Dua t’u them diçka që vjen nga zemra.

Mos i harroni prindërit tuaj.

Mos i harroni të moshuarit.

Mos i harroni njerëzit që dikur sakrifikuan ëndrrat, kohën dhe jetën e tyre që ne të kishim një të ardhme më të mirë.

Jetojmë në një kohë ku teknologjia na lidh me gjithë botën, por shpesh na largon nga njerëzit më të afërt. Jemi të zënë me punë, me biznes, me angazhime të përditshme dhe ndonjëherë harrojmë se për dikë një telefonatë e thjeshtë, një vizitë apo një përqafim mund të vlejë më shumë se çdo gjë tjetër. Gjatë gjithë karrierës sime kam takuar shumë njerëz në momentet më të vështira të jetës së tyre. Kam parë se çfarë i bën njerëzit vërtet të lumtur në fund të jetës dhe çfarë i bën të pendohen. Askush nuk flet për paratë që ka fituar, për veturat që ka pasur apo për pozitën që ka mbajtur.

Njerëzit kujtojnë dashurinë që kanë marrë dhe kanë dhënë. Kujtojnë kohën e kaluar me familjen. Kujtojnë respektin, mirësinë dhe njerëzit që kanë qenë pranë tyre kur kishin më shumë nevojë.

Prandaj mesazhi im është i thjeshtë: duajeni familjen tuaj, respektoni prindërit tuaj dhe mos prisni nesër për të treguar kujdesin që mund ta tregoni sot.

Nëse Spitex BajRon AG ka arritur të ndërtojë diçka të vlefshme gjatë këtyre më shumë se 14 viteve, kjo ka ndodhur sepse kemi besuar se kujdesi fillon nga zemra. Profesionalizmi është i domosdoshëm, por pa humanizëm ai mbetet i paplotë.

Për sa kohë do të kemi mundësinë t’u shërbejmë njerëzve, do ta bëjmë me të njëjtin përkushtim, me të njëjtin respekt dhe me të njëjtën zemër si ditën e parë kur filluam këtë rrugëtim.

Sepse në fund të fundit, pasuria më e madhe që mund të lërë një njeri pas vetes nuk janë gjërat materiale, por gjurmët e mira që lë në jetën e njerëzve të tjerë.

Spitex BajRon AG

• Mbi 14 vite përvojë në shërbim të njerëzve

• Mbi 36 vite përvojë personale në fushën e kujdesit shëndetësor dhe social

• Mbi 300 bashkëpunëtorë në rrjetin tonë profesional

• Aktiv në shumë kantone gjermanfolëse të Zvicrës

• Partner i besueshëm për kujdes profesional, njerëzor dhe cilësor

“Kujdes me zemër – në shtëpinë tuaj.” 

Nijat Bajrami

Themelues dhe Drejtor i Spitex BajRon AG.

Share This Article